Sekretet e martesës së lumtur

“Sekreti i një martese të lumtur është sekret” – Proverb

Çfarë të thotë për ju të jeni të lumtur?!! Të jeni të buzëqeshur gjatë gjithë kohës, të jeni të kënaqur me veten dhe të tjerët rreth jush, apo të keni rehati shpirtërore?! Sipas psikologut Steven Reiss, në artikullin e tij “Sekretet e Lumturisë”, lumturia mund të jetë e bazuar në një ndjesi që nënkupton të kalosh një natë të mirë me miq, të qeshësh shumë dhe të argëtohesh. Kjo mund të jetë e bazuar në vlera, të cilat nënkuptojnë ndjenjën që e përjetojmë dhe na bën të vetëdijshëm që jeta jonë ka kuptim. Kjo lloj lumturie përfaqëson një burim shpirtëror të kënaqësisë. Lumturia e bazuar në vlera është ajo që e balancon jetën tonë. Lumturi të tillë mund të ketë edhe i pasuri, edhe i varfëri, edhe i dijshmi, edhe më pak i dijshmi, edhe i popullarizuari, edhe i refuzuari. Janë vlerat e jo kënaqësitë e përditshme ato që e sjellin lumturinë e vërtetë.

sekmarlumt

Duke u bazuar në këtë, shtrohet pyetja a konsiston një martesë e lumtur në një përditshmëri të lumtur, një buzëqeshje, në detaje të vogla të parëndësishme, por që na bëjnë ta shijojmë ditën më mirë, apo në një siguri dhe rehati afatgjate. Mendoj se ndërthuren të dyja, por në shumicën e rasteve çiftet acarohen për vogëlsirat ditore, të cilat ndoshta nuk çojnë peshë edhe aq të madhe. E vërteta është se askush nuk mund të dijë se çka ndodh në një marrëdhënie martesore përpos çiftit në fjalë. Ndonjëherë jemi aq të konsumuar me jetën tonë të përditshme saqë harrojmë të brendësojmë kuptimin e jetës tonë – kush jemi ne dhe çfarë na bën realisht të lumtur…

 

Kur një çift martohet, ata në fakt hyjnë në martesë, për të cilën nuk dinë asgjë dhe mendojnë se një ndër problemet kryesore në jetën martesore, është se çifti mendon se çdo gjë duhet të funksionojë automatikisht, mendojnë se jetët e tyre do të shkrihen në një, por kjo nuk ndodh. Jeta martesore ndërtohet nga themelet. Ajo ndërtohet nga ato kënaqësitë e vogla që na bëjnë individë, që na dallojnë nga njëri-tjetri dhe që gradualisht na çojnë në drejtim të njohjes së vetes, partnerit dhe njohjes së jetës sonë martesore.

 

Por, triku qëndron në faktin që kur një kënaqësi përmbushet, rritet nevoja për të. Natyra njerëzore është e tillë që njeriu kërkon më shumë e më shumë dhe nuk ngopet asnjëherë, derisa shndërrohet në qenie egoiste, në kuptimin që dëshirat, kënaqësitë dhe nevojat e tij i sheh si më qenësore se ato të partnerit. Këto kënaqësi të vogla, këto shprehi të vogla mund të shpërthejnë në konflikte dhe t’i dëmtojnë marrëdhëniet dhe komunikimin midis partnerëve. Dhe çfarë pason? Femrat e shprehin mllefin me shprehjen: “Ti nuk më kupton!!!”, … kurse meshkujt “Me ty nuk bisedohet!!!”…. dhe kështu mbyllen të gjitha urat e komunikimit midis çiftit, si aspekti më esencial i një marrëdhënieje të suksesshme dhe afatgjate.

Martesa do të jetë ashtu siç e krijon vetë çifti qysh nga fillimi dhe do të jetë vazhdim i marrëdhënies që e ka pasur çifti qysh nga fillimi. Mirëpo, shumë shpesh ndodh që të ndryshojë marrëdhënia dhe raportet mes çiftit pikërisht pas martesës, posaçërisht në Kosovë. Është një periudhë tranzicioni, nëpër të cilën kalon çifti dhe disa e përballojnë lehtë – me kuptueshmëri dhe komunikim të mirëfilltë, por disa jo. Martesa me vete sjell ndërrimin e stilit të jetës, rutinës ditore, mënyrës së të ushqyerit, shtratit të gjumit, dokeve e zakoneve, posaçërisht për femrat në Kosovë, që ndikon shumë në mënyrën se si e percepton ajo jetën dhe identitetin e vet. Në anën tjetër, tek mashkulli instinktivisht rritet stresi i përgjegjësisë dhe përkatësisë ndaj dikujt, gjë që po ashtu ndikon në perceptimet e tij mbi veten. Mirëpo, duke qenë se është fillimi i martesës dhe ka shumë emocione pozitive në ajër dhe asnjëri nuk dëshiron të ndikojë në atë atmosferë dashurie dhe epshi, telashet e përditshmërisë ngulfaten dhe grumbullohen deri në pikën, kur pëlcasin dhe çifti hyn në konflikte, të cilat janë të shpeshta në këtë periudhë tranzicioni dhe ironia qëndron në faktin se ata e dinë që kanë parehati, por thellë-thellë në vete nuk e dinë arsyen përse, sepse e gjithë kjo periudhë tranzicioni ndikon në nivel të pavetëdijes. Duke qenë që gjërat nuk sqarohen nga fillimi, hap pas hapi, vetëm për të mos prish iluzionin jetës martesore që e kanë pasur nga fillimi, çifti mbetet gjithmonë një hap prapa dhe diçka mbetet gjithmonë pa u thënë.

Në artikullin e tij, “Sekretet e një martese të lumtur”, profesori i psikologjisë në Universitetin e Uashingtonit, Dr. John Gotman, thotë se ai gjatë përvojës së vet ka mësuar të parashikojë me 90% saktësi se cili çift do të mbijetojë e cili jo dhe bazuar në hulumtimet e tij, ai ka dhënë disa këshilla për të ndërtuar një martesë të lumtur, e ndër to janë:

Njohja e shenjave të rrezikut - ikja nga ballafaqimi, të kritikuarit e ashpër, sarkazmi, rrotullimi i syve kur partneri flet…

Komunikimi i hapur dhe i sinqertë - përdorimi i fjalive që fillojnë me “unë mendoj” ose “unë ndiej” e jo “ti…” sepse jemi qenie të ndryshme dhe pa marrë parasysh sa e njohim njëri-tjetrin, nuk mund të mendojmë apo ndiejmë sipas këndvështrimit të partnerit.

Fleksibiliteti - marrja parasysh e asaj çka ndien apo thotë partneri dhe kompromisi

Pozitiviteti - marrja parasysh e anëve pozitive të njëri-tjetrit dhe situatave që i krijojmë, sepse mbi të gjitha jemi martuar me dashuri dhe në momentin kur e kemi marrë atë vendim, ka pasur diçka pozitive që na ka motivuar të martohemi.

Edhe pse sinqerisht mendoj se sekreti i martesës së lumtur është megjithatë sekret, jo për arsye tjetër, por për shkak se nuk ka recetë definitive që funksionon për çdo çift. Mirëpo, duke u nisur nga ajo se vendimi për martesë dhe vet martesa janë momente lumturie dhe gëzimi dhe e gjithë kjo lëvizje në jetë nis me mendime dhe qëndrime pozitive, më duhet të them se ekzistojnë disa këshilla të pranuara botërisht, të paraqitura në artikullin e psikologut Henrylito Tacio që përdoren shumë në terapi psikologjike të çifteve e që janë dëshmuar si të dobishme:

 

1      Kultivimi i një koncepti të pjekur të dashurisë – dashuria që ta ndal frymën jeton shumë pak, pjekuria në dashuri që nënkupton kur nuk mendon më si një, por si çift dhe mirëqenia dhe lumturia e partnerit tënd është me e rëndësishme për ty se sa e jotja.

2      Puna konstante në komunikim – ndarja e gjithçkaje me partnerin – pra ndarja e të mirës dhe të keqes, e planeve dhe telasheve, e çdo aspekti të bashkëjetesës. Pa i ndarë këto mes veti, kurrë nuk mund ta njihni partnerin dhe ta kuptoni këndvështrimin e tij/saj

3      Kultivimi i modestisë – Ti nuk ke gjithmonë të drejtë! Nevoja për të menduar se ti ke të drejtë rezulton nga frika e humbjes së kontrollit apo autoritetit. Nëse mendon se gjithmonë ke të drejtë, atëherë nuk mund të qëndrosh në martesë. Kërko falje dhe fale atë …. që të mund të relaksohesh mandej në marrëdhënien tënde.

4      Sensi i humorit – si në çdo gjë tjetër në jetë. Përderisa mund të tallesh me ndonjë telash apo problem, atëherë dije se nuk është edhe aq i rëndë.

5      Pranimi – çifti e pranon njëri-tjetrin si partner të jetës në momentin e martesës. Duhet pranuar, se kurrë dhe nën asnjë rrethanë nuk mund ta ndryshosh partnerin. Të vetmen gjë që mund ta ndryshosh është veten tënde.

6      Merr përgjegjësi – për martesën tënde, telashet tua, mosmarrëveshjet. Mos ik nga ballafaqimi dhe ki shumë, shumë durim dhe vetëkontroll, sepse me kohë do të shpërblehet

Dhe më e rëndësishmja, dashuro! Dashuro shumë dhe mos e fsheh ndjenjën e dashurisë! Thuaja! Thuaja në çdo moment, sepse të duash dhe të të duan, kurrë nuk është tepër. Mos supozo se partneri e di! Thuaja … që e do shumë, … që i beson me jetë… dhe je i/e sigurt në ardhmërinë tuaj të përbashkët!